Dexhalli dhe ardhja e Mesihut të Premtuar a.s. | Xhelsa Salana 2016

Description

I nderuar Samad Ahmed Ghori mbajti temën “Dexhalli dhe ardhja e Mesihut të Premtuar a.s.” më 23 tetor 2017 në Xhelsa Salanën e Shqipërisë. Duke e shkoqitur konceptin e Dexhallit në bazë të haditheve, ai përshkroi edhe detyrat që ai do t’i kryente. Ai argumentoi se ekzistojnë vetëm dy mënyra për t’i kuptuar këto profeci dhe shenja. Pra, ose të pranohen në mënyrë shabllone, duke pritur ardhjen e një përbindëshi që posedon çuditërisht edhe disa fuqi mbinjerëzore, ose të konsiderohen fjalë të urta të një Profeti urtiplotë s.a.v.s., dhe të interpretohen respektivisht. Me të vërtetë, shenjat që janë përshkruar në profecitë e dexhallit, parashikojnë zhvillimin e gjithanshëm të qytetërimit bashkëkohor, i cili i privuar nga spiritualiteti, përfaqëson materializmin. Shpikja e mjeteve të shpejta të transportit, armët bërthamore dhe kimike për një shkatërrim botëror, dhe zhvillimet revolucionare në bujqësi, mjekësi, meteorologji, mineralogji e shumë fusha të tjera dëshmojnë për përmbushjen e këtyre profecive. Fatkeqësisht, muslimanët në përgjithësi duke mos kuptuar thelbin e dexhallit, nuk arritën të njihnin as figurën e Mesihut të Premtuar a.s. Në fund, duke u bazuar në shkrimet e Imam Mehdiut a.s., ai shpjegoi edhe ballafaqimin e dexhallit me Isain a.s., birin e Merjemes.